AlbanianSport.com 09/01/2018 11:30
ASNN – Pak ditë më parë trajneri Kristian Panuçi zbardhi listën e lojtarëve që do të jenë të grumbulluar me skuadrën kombëtare në kuadër të ndeshjeve ndaj Skocisë (17 nëntor) dhe ndaj Uellsit (20 nëntor). Kjo listë shkaktoi bujë për faktin se kishte në brendi të saj dy lojtarë të Kosovës, Ardian Ismajlin dhe Loret Sadikun, i pari mbrojtës i Hajdukut të Splitit që refuzoi të luajë për Kosovën e zgjodhi Shqipërinë, kurse tjetri mesfushori i Kasëmpashasë në Turqi, që dëshiron të luajë për Kosovën, por FIFA e njeh si futbollist kuqezi.
Ky i fundit ka refuzuar dhe një herë tjetër të grumbullohet me ekipin kombëtar të Shqipërisë, me shpresën se federata e Kosovës do të dijë të merret vesh me atë të Shqipërisë dhe me FIFA-n, që të lejojë aktivizimin e tij me përfaqësuesen kosovare të trajnerit Bernard Shalondë. Lajmin e refuzimit të Sadikut dhe zëvendësimin e tij me mesfushorin e Panathinaikosit Ergys Kace, e dha vetë Federata Shqiptare e Futbollit në një njoftim të shkurtër, të botuar në faqen e saj zyrtare në Internet.
“Trajneri i kombëtares Kristian Panuçi ka njoftuar zëvendësimin e Loret Sadikut me Ergys Kaçen, – shkruan në njoftimin e saj FSHF, – sa i përket listës së futbollistëve që ka grumbulluar për dy ndeshjet e rradhës që do të luajë Shqipëria. Ndeshjen e parë kuqezinjtë do ta luajnë përballë Skocisë në datën 17 nëntor 2018, duke nisur nga ora 20:45 në stadiumin “Loro Borici”, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Ndeshja e dytë e kombëtares do të jetë miqësore, Shqipëri-Uells, e cila do të zhvillohet më datë 20 nëntor 2019, në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 20:00”.