AlbanianSport.com 13.11.2014 18:00
ASNN – Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Aeroportin e Renës, në Francë, qytet ku do të luajë edhe miqësoren e luksit të premten në mbrëmje. Grupi i lojtarëve në dispozicion të trajneri Xhovani De Biazit nuk ka asnjë problem, ndaj trajneri italian ka mundësi të zgjedhë mes më të mirëve. Natyrisht, për formacionin do të vendoset në mënyrë përfundimtare pas stërvitjes ambientuese në stadiumin përkatës.
Sidoqoftë, nisur nga mungesat e Taulant Xhakës, Valdet Ramës, Ergys Kaçes dhe Alban Mehës (i lënë jashtë vetë nga trajneri), De Biazi ka lënë të kuptohet se do të bazohet tek ata lojtarë që i japin më shumë garanci në përballjen ndaj Francës. Nisur nga fakti se “gjelat” janë sa një skuadër fizikisht shumë e mirë, por edhe me futbollistë cilësorë, italiani i Kombëtares sonë ka menduar që të luajë sërish me një sulmues;
Ai nuk do të prishë kësisoj rutinën e tri takimeve të fundit kualifikuese. Kështu, në majën e këtij reparti, më të favorizuar janë Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi. Por, në ndryshim nga ndeshjet e para të këtij edicioni, në takimin me Francën, me shumë gjasa do ketë vend edhe për Salihin, kjo nisur edhe nga forma e mirë që ka treguar shkodrani në kampionatin izraelit me Hapoelin.
Ndryshime mund të ketë eedhe në mesfushë. Së pari, kthehet në të djathtë Odise Roshi, i cili mungoi në takimin me Danimarkën dhe Serbinë për shkak dëmtimi. Ndërsa me shumë gjasa do të aktivizohet edhe Ledian Memushaj. Mesfushori i Peskarës në Serinë B e ka bindur me formën e tij De Biazin dhe me gjasa do të luajë nga minuta e parë.
Ky i fundit do ketë edhe rolin e një lojtari organizator, kjo nisur edhe nga veçoritë që e dallojnë karshi të tjerëve. Sakaq, në qendër do jetë Abrashi me Kukelin, teksa në të majtë, me detyra sa mbrojtëse edhe sulmuese, do luajë Ermir Lenjani. Mbrojtja duket e palëvizshme, me Etrit Berishën në portë, teksa në të djathtë do jetë Hysaj, në qendër Cana dhe Mavraj dhe në të majtë Agolli.
Por, me shumë gjasa, në këtë ndeshje do ketë minuta edhe për të sapoafruarin në skuadër, Arlind Ajetin, i cili ka dhënë prova gjatë seancave të këtyre ditëve se gëzon një formë të mirë sportive. Duke qenë një miqësore, trajneri do ketë mundësi që të bëjë gjashtë zëvendësime, ndaj priten edhe aktivizime të tjera.