AlbanianSport.com 25.03.2016 12:05
ASNN – Të shtunën në mbrëmje, Shqipëria do të përballet në një ndeshje miqësore me Austrinë, në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen historike në fazën finale të Evropianit 2016.
Kjo ndeshje do të zhvillohet në Stadiumin “Ernst Hapel” të Vjenës duke nisur nga ora 17:00 dhe Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi, do të niset sot pasdreke drejt kryeqytetit austriak.
Trajneri italian me pasaportë shqiptare ka zgjedhur t’u besojë titullarëve në këtë sfidë me një kundërshtar cilësor, që gjithashtu është kualifikuar për në fazën finale të Evropianit “Francë 2016”.
Për këtë arsye, pritet që trajneri kuqezi t’i kushtojë fillimisht vëmendje mbrojtjes, duke menduar më pas për sektorët e tjerë të lojës. Shqipëria është përballur 6 herë ndaj Austrisë dhe ka pësuar po kaq humbje.
Përfaqësuesja austriake është një prej atyre kundërshtarëve që kuqezinjtë jo vetëm janë mundur rregullisht, por kanë vuajtur për t’u shënuar qoftë edhe një gol. Në fakt, në këto 6 humbje, kuqezinjtë kanë pësuar plot 17 gola, duke shënuar vetëm një herë.