AlbanianSport.com 08/11/2021 23:55
ASNN – Kuqezinjtë zbarkojnë në Durrës, Kumbulla, Balaj e Broja “të vonuar”, Strakosha, i dëmtuar. Kombëtarja shqiptare ka nisur të hënën zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet e Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, atë ndaj Anglisë dhe atë ndaj Andorrës.
Kuqezinjtë kanë zhvilluar pasdite seancën e parë stërvitore nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja dhe stafit teknik në kompleksin e tyre stërvitor në Durrës. Sipas burimeve pranë skuadrës kuqezi, mësohet se në seancën stërvitore të së hënës nuk kanë marrë pjesë vetëm 4 nga lojtarët e ftuar për këto dy sfida.
Mbrojtësi Marash Kumbulla dhe sulmuesi Bekim Balaj mbërrijnë gjatë pasdites së të hënës në Shqipëri, ndërsa portieri Thomas Strakosha nuk është stërvitur me grupin, për shkak të një shqetësimi në gju dhe u është nënshtruar testeve mjekësore të mëtejshme për të përcaktuar gjendjen e tij.
Me skuadrën nuk ka qenë të hënën as sulmuesi i Çellsit, i huazuar tek Sauthemptonit, Armando Broja, i cili pritet të mbërrijë të martën në Shqipëri. Skuadra do të vijojë të martën me përgatitjet teksa ekipi kuqezi do të zbresë në ora 15:00 në fushë për stërvitjen e radhës.