AlbanianSport.com 14/10/2018 21:50
ASNN – Në kuadër të Ligës së Kombeve, Shqipëria po luan ndeshjen e tretë në grupin e parë të Ligës C, dhe po ndeshet me Izraelin. Pjesa e parë e ndeshjes së sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka nisur me presingun e vendasve që në minutën e parë, por kuqezinjtë mbijetojnë dhe vijojnë ta zhvendosin lojën në gjysmëfushën kundërshtare.
Dhe Uzuni harkon bukur nga e djathta dhe Balaj godet me kokë brenda zone, por gardiani i portës izraelite, Harush, bën mrekullinë në fundin e minutës së 7-të. Por 55 sekonda më vonë, Shqipëria gjendet e papërgatitur, kur një goditje e gjatë e portierit vendas do t’i japë mundësi Hemedit të përfitojë në skajin tjetër dhe të mposhtë Strakoshën, duke shënuar golin e tij të 17-të në 35 ndeshje me fanellën e përfaqësueses.
Shqipëria është çoroditur nga goli dhe në minutën e 16-të, rrezikon të pësojë përsëri, kur Peretz godet brenda zonës pas një pasimi të marrë nga e djathta, por mbrojtësit kuqezi bllokojnë goditjen që po shkonte në portë. 6 minuta më pas, Balaj përfiton nga një harkim këtë radhë nga e majta e sulmit kuqezi dhe godet me kokë, por portieri vendas i thotë sërish “jo”, me një tjetër grushtim instinktiv.
Izraeli ka zgjedhur të godasë me kundërsulme ose me anë të goditjeve të këndit, siç ishte kjo e minutës së 26-të, që përfundon jashtë. Shqipëria luan mirë për minuta të tëra dhe në të 33-tën, Balaj provon sërish me kokë në qendër të zonës, por pa e gjetur dot kuadratin.
Goditje këndi 3 minuta më vonë, por goditja fluturimthi e Xhakës brenda zone, devijohet jashtë për një goditje këndi nga portieri mik. Goditja e këndit që vijon sjell një tjetër goditje me kokë të kuqezinjve, por pa problem për portierin vendas. Pjesa e parë do të shohë Bashën të dalë nga loja i dëmtuar, por çuditërisht Lilaj nuk lejohet të hyjë në fushë për ta zëvendësuar. Mbyllet kështu 1-0 pjesa e parë në favor të Izraelit.