AlbanianSport.com 05.09.2015 21:50
ASNN – Kombëtarja shqiptare është kthyer në atdhe. Futbollistët kanë mbërritur mbrëmë në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit dhe me autobuz kanë udhëtuar drejt kampit të tyre stërvitor në Durrës. Atje do të qëndrojnë të grumbulluar deri të hënën, kur do të luajnë ndeshjen tjetër eliminatore për në “Euro 2016”, ndaj Portugalisë.
Ndërkaq, pak pas mbërritjes së kuqezinve, në Aeroportin “Nënë Tereza” ka zbarkuar edhe përfaqësuesja e Portugalisë, e cila është shoqëruar nën masa të forta sigurie. Natyrisht, në qendër të vëmendjes së sportdashësve ka qenë ylli i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, por ai e ka shmangur shmangur dhënien e autografeve dhe fotot e çastit.
Portugezët janë akomoduar në kryeqytet, ku edhe do të mbajnë sot pasdite konferencën për shtyp, si dhe do të zhvillojnë stërvitjen e fundit në orën 18:00 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Kombëtarja shqiptare barazoi 0-0 me Danimarkën të premten, një ndeshje mjaft domethënëse kjo për ecurinë e kuqezinjve drej Euro 2016.
Pas këtij barazimi Shqipëria ndodhet me 11 pikë të barabarta me Danimarkën e vendit të dytë. Ndeshja Shqipëri-Portugali do të luhet të hënën, duke nisur nga ora 20:45 në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet drejtrpëdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.