AlbanianSport.com 04.10.2016 14:20
ASNN – Armando Sadiku do të jetë një tjetër mungesë në sulmin e Kombëtares për dy ndeshjet e radhës, me Lihtenshtejnin dhe Spanjën. Sulmuesi i FC Zyrihut nuk ia doli të jetë gati për dy takimet e radhës të Eliminatoreve të Botërorit 2018. Kontrollet mjekësore të fundit nuk shfaqën përmirësime dhe futbollisti duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrje.
Në vend të Armando Sadikut do të ketë një rikthim, ai i Edgar Çanit. Ky përforcim vjen pas mungesës edhe të Rei Manajt, i cili u lëndua në kavilje gjatë ndeshjes së kampionatit me skuadrën e Peskarës. Trajneri Xhovani De Biazi përjashtoi alternativën e Shkëlzen Gashit si sulmues krahu dhe tani ka në dispozicion edhe Bekim Balajn, Sokol Cikalleshin e Azdren Llullakun.
60-vjeçari italian duket se e ka hequr nga lista edhe golashënuesin shkodran, Hamdi Salihi, të cilin nuk e mori me vete as në Evropian. Kombëtarja ndodhet në Vaduz prej ditës së hënë ku po përgatit përballjen me Lihtenshtejnin, që do të luhet të enjten. Në këtë përballje synohet fitorja për të shkuar më të qetë në ndeshjen së dielën me Spanjën në Shkodër.