AlbanianSport.com 05.10.2015 14:35
ASNN – Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhiç, ka thënë se Federata Shqiptare e Futbollit nuk do të lejojë të ndodhë ndonjë incident në ndeshjen e 8 tetorit 2015 që zhvillohet në Stadiumin “Elbasan Arena”. Ai bazohet në faktin se çdo incident që mund të ndodhë do të ndikojë negativisht për Shqipërinë.
Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç, ka pranuar faktin se Shqipëria në çdo variant është afër kualifikimit në Euro 2016, pavarësisht nëse fiton apo humbet në “Elbasan Arena” përballë Serbisë. Ai ka deklaruar se FSHF-ja nuk do t’ia lejojë vetës të bëjë asnjë gabim në organizimin e ndeshjes.
Thjesht sepse kjo do t’u kushtonte shtrenjtë shqiptarëve. “Çfarëdo rezultati të prodhojë ndeshja e 8 tetorit, shqiptarët do të marrin pjesë në “playoff”, ose do të shkojnë direkt në Kampionatin Evropian të Francës, vitin e ardhshëm, ndaj nuk besoi se do t’ia lejojnë vetes ta humbasin një shans të tillë”, – ka thënë Karaxhiç.
“Do të jetë një surprizë e madhe që kjo të ndodhë, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin serb. – Ne, gjithashtu, kishim disa takime me Ministrinë tonë të Brendshme, ndërsa kemi marrë një letër nga ambasadori ynë në Tiranë, në të cilën na siguron se organizimi do të jetë i mirë nga autoritetet shqiptare dhe mbarëvajtja e ndeshjes e suksesshme.”