AlbanianSport.com 11.06.2016 12:20
ASNN – Kombëtarja shqiptare ka mbajtur pasditen e kësaj të premteje, një ditë para ndeshjes, konferencën e radhës për shtyp, në të cilën kapiteni Lorik Cana dhe trajneri Xhovani De Biazi kanë theksuar se pritshmëritë janë të mëdha. “Gjithçka do të fokusohet tek futbolli, – ka deklaruar Cana. – Kemi arritur këtu duke luftuar me zemër dhe organizim.”
“Ekipi është përmirësuar shumë në aspektin e mbrojtjes dhe riorganizimit, që ishin dhe baza e kualifikimit”, – ka shtuar kapiteni kuqezi. Ai nuk u duk i shqetësuar nga gabimet në mbrojtje në ndeshjet e fundit, pasi, sipas tij, gjatë Evropianit, Kombëtarja do të tregojë përqendrimin që ka pasur gjatë Eliminatoreve. Lidhur me rezultatin e ndeshjes, Cana theksoi se “nëse do të tregohemi më të fortë se ata, do të fitojmë ne”.
“Kemi pësuar pak gola në eliminatore dhe kjo ka qenë një ndër shtyllat kryesore të kualifikimit dhe do të mbështetemi në të njëjtën gjë për të vazhduar, – ka pohuar futbollisti që militon në radhët e Nantës në kampionatin francez. – Problemet e vogla nuk përbëjnë problem për ne. Secili prej nesh do të jetë në nivelin e duhur dhe në fushë do të fitojë skuadra më e fortë.”
Shtylla e mbrojtjes kuqezi vlerësoi afrimet e lojtarëve të rinj dhe të talentuar në skuadër, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në kualifikimin historik të Shqipërisë në një eveniment madhor. “Kemi vite që jemi munduar me trajnerin që të sjellim lojtarët më të mirë”, – ka theksuar qendërmbrojtësi kuqezi.
“Shumë lojtarë kanë luajtur në Bundesligë, të cilët na kanë ndihmuar shumë, – ka vijuar ai. – E dimë se sa i fortë është kampionati gjerman. Mavraj ka 4 vjet me Kombëtaren dhe është bërë shumë shpejt një lojtar i rëndësishëm. Përvoja që ka marrë në Gjermani është e rëndësishme. Abrashi ka bërë një zgjedhje fantastike për të ardhmen e tij, pasi u bashkua me një skuadër si Frajburgu, që u rikthye në Bundesligën e parë.”