AlbanianSport.com 08/01/2018 18:00
ASNN – Mbrojtësi i Hajdukut të Splitit, Ardian Ismajli, i cili është zgjedhur nga trajneri Kristian Panuçi të jetë i grumbulluar me kuqezinjtë për duelet e 17 nëntorit kundër Skocisë dhe miqësoren me Uellsin më 20 nëntor, ka dhënë një intervistë për mediat kroate, ku ka sqaruar arsyet që e çuan të zgjedhë Shqipërinë, duke evituar fërkimet me Kosovën.
“Menjëherë pas telefonatës së Panuçit vendosa të luaj për Shqipërinë në të ardhmen, – u shpreh Ismajli, – por nuk doja të lija shokët te Nën-21-vjeçarët e Kosovës deri në përfundim të eliminatoreve. Isha kapiteni dhe lojtari më i mirë, ndaj nuk do të kishte qenë vendim i mirë t’i lija ata në baltë. Ne jemi një komb dhe shpresoj që së shpejti të bashkohemi në një shtet, por kemi ekipe të ndryshme.”
“Shqipëria është më e mirë dhe më ofron mua më shumë mundësi për t’u promovuar, – vijon Ismajli, – Veç të tjerave, unë kam luajtur për Kosovën e Nën-21-vjeçarëve. Ky ishte motivi kryesor për vendimin e marrë, që kishte edhe mbështetjen e prindërve të mi. Disa gazetarë dhe tifozë më kritikojnë mua, duke pretenduar se nuk do të ketë vend për mua te kombëtarja shqiptare për shkak se nuk kam luajtur shumë te Hajduku.”
“Por unë jam i bindur dhe i sigurt për vendimin që kam marrë. Unë jam gati që të luaj që kundër Skocisë në Nations League”, – përfundoi prononcimin e tij për mediat kroate mbrojtësi më i ri kuqezi, Ardian Ismajli.