Adriatik Balla 11.06.2015 11:35
Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri Xhovani De Biazi dha leje për daljen para gazetarëve të dy lojtarëve të spikatur të Kombëtares, mesfushorit Ermir Lenjani dhe mbrojtësit Elseid Hysaj. Të dy lojtarët kuqezi vunë theksin tek rëndësia e ndeshjes miqësore me Francën, duke e quajtur një test të rëndësishëm për vazhdimësinë dhe një
moment kur skuadra duhet të tregojë se di të mbajë presionin, lojën e qëndrueshme dhe rezultatin e qëndrueshëm, për të konfirmuar se ato çfarë janë arritur në pjesën e parë të eliminatoreve për Evropianin e ardhshëm nuk kanë qenë rastësi por fryt i punës së grupit dhe të stafit.
Mbrojtësi Elseid Hysaj tha dje se miqësorja me Francën është e rëndësishme në këto eliminatore, pasi tregon forcën e vërtetë të grupit kuqezi dhe i shërben atij të përmirësohet në rrugëtimin e tij. “Ndeshje e rëndësishme dhe do të hyjmë në fushë sikur të jetë një sfidë kualifikuese”, – tha Hysaj, i cili i qetëson të gjithë me sigurinë e treguar në fjalët e tij. Mungesat në këtë sfidë miqësore janë të shumta, dhe shihen si një problem për kuqezinjtë. “Nuk përbëjnë problem mungesat. Kushdo që luan do të tentojë të bindë trajnerin për forcën e tij”, – shtoi mbrojtësi kuqezi. Sezoni i mirë i zhvilluar me Empolin ka bërë që Elseid Hysaj të përfundojë në listën e dëshirave për skuadrat më të mëdha të Italisë.
Juventusi, Interi, Milani, Lacio dhe, së fundmi, Napoli, janë emrat e përfolur në media të interesuara për shërbimet e shkodranit. Vetë 21-vjeçari shpjegon situatën në merkato duke zbuluar ndoshta se ku mund të jetë e ardhmja e tij. “Jam i kënaqur të dëgjoj për emrat e mëdhenj që interesohen për mua, por s’ka asgjë konkrete. Napoli më ka kërkuar edhe vjet dhe tani që mori Sarrin si trajner besoj se do më kërkojë sërish. Unë do kisha kënaqësi të punoja sërish me të”, – ka përfunduar mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, duke folur gjatë konferencës së djeshme për shtyp të mbajtur në kampin stërvitor të kuqezinjve në Durrës.