AlbanianSport.com 08/02/2024 21:25
ASNN – Për një kapriçio të shortit, Shqipëria dhe Republika Çeke janë përsëri përballë njëra-tjetrës, këtë radhë në kuadër të edicionit të 4-t të Ligës së Kombeve, pasi shorti i vendosi në Grupin B1 të kësaj veprimtarie. Dhe me sa duket, çekët kërkojnë hakmarrje për dështimin në Eliminatoret e “Euro 2024”, pasi Shqipëria barazoi 1-1 në Pragë dhe i mundi 3-0 në Tiranë, për t’i kaluar në kreun e grupit teksa siguroi praninë në turneun e verës.
Në fakt, kjo përcillet edhe në fjalët e trajnerit të ri të përfaqësueses çeke, Ivan Hashek, i cili ka marrë drejtimin e skuadrës pasi fundi i eliminatoreve u cilësua një dështim pavarësisht kualifikimit për këtë ekip dhe Jaroslav Shilhavi u largua nga stoli. Por trajneri i ri i përfaqësueses çeke i ka idetë e qarta dhe nuk ushqen iluzione. “Sigurisht që mund të jetë një motivim, jo vetëm për vetë lojtarët, por të gjithë do të duam të tregojmë se jemi më të mirë se Shqipëria”, – ka thënë ai për mediat vendase.
“Ata e treguan forcën e tyre sidomos në ndeshjen në shtëpi dhe është detyra jonë t’ua kthejmë atyre dhe të marrim 6 pikët këtë herë, – thotë Hasheku. – Megjithatë, detyra jonë mbetet e qartë, ne duam të avancojmë dhe nuk ka rëndësi se kush luan me kë. Të gjitha grupet janë të barazpeshë, disa kundërshtarë mund të mos duken të vështirë në pamje të parë, por kanë forcë. Çdo ndeshje do të jetë një luftë”.