AlbanianSport.com 12/10/2021 12:40
ASNN – Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë në futboll, Berat Gjimshiti, ka reaguar për herë të parë për operacionin në krah, të cilit iu nënshtrua pas dëmtimit në pjesën e parë të fitores 1-0 që Shqipëria arriti të shtunën në Hungari . Nëpërmjet një postimi në profilet e tij në rrjetet sociale mbrojtësi i Atalantës, falënderon të gjithë për përkrahjen që ka marrë ditët e fundit.
Gjithashtu Gjimshiti tregon se ka kaluar me sukses operacionin dhe “premton” se do të kthehet shumë shpejt në fushën e lojës. 28-vjeçari ka një mesazh për gjithë shqiptarët dhe për shokët e ekipit, që luajnë sonte një ndeshje të rëndësishme, që thotë shumë për ecurinë e kombëtares tonë në këto Eliminatore. “Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen në ditët e fundit”, – shkruan qendërmbrojtësi.
“Operacioni ishte i suksesshëm dhe do të kthehem sa më shpejt në fushë”, – ka vijuar 28-vjeçari, duke shtuar: “Sonte do të bëj tifo nga shtëpia dhe u uroj shumë fat shokëve të skuadrës.” Ylli i mbrojtjes kuqezi që pësoi një dëmtim në parakrahun e majtë në ndeshjen me Hungarinë, është operuar ditën e hënë në një nga klinikat sportive më të mira të Torinos, në Itali.
Stafi mjekësor i Kombëtares ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me stafin mjekësor të Atalantës, dhe mësohet se operacioni i zhvilluar mëngjesin e sotshëm ka shkuar me shumë sukses dhe lojtari është në gjendje shumë të mirë. Mësohet se mbrojtësi kuqezi brenda një periudhe prej 7-10 ditësh do të rinisë stërvitjen dhe sipas parashikimeve do të jetë i gatshëm për të luajtur ndeshje zyrtare pas 30 ditësh.