AlbanianSport.com 09/03/2019 16:35
ASNN – Sezon i ri, “huqe” të vjetra, Panuçi lë jashtë Lenjanin, të enjten zbardh listën e Kombëtares. Trajneri Kristian Panuçi do të zbardhë të enjten listën e lojtarëve të Kombëtares, të cilët do të grumbullohen në kuadër të dy ndeshjeve eliminatore të Euro-2020 dhe ku dy takimet e para në radhë janë ajo ndaj Turqisë më 22 mars, si dhe me Andorrën më 25 mars. Surpriza e parë, në sensin negativ, nga lista e trajneri kuqezi është Ermir Lenjani.
Referuar mediave sportive mbrojtësi nuk ka marrë ftesë dhe për sa kohë ftesa nuk ka shkuar në klub do të thotë se Lenjani nuk është në projektin e Panuçit për dy ndeshjet e radhës. Në një prononcim për “Klan TV”, trajneri italian i përfaqësueses së Shqipërisë, tha se të enjten do ta zbardhë listën. E, në të njëjtën kohë, ai po mendon për duelet e radhës, kryesisht atë ndaj Turqisë që luhet në Stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës.
“Pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, ne ndryshuam diçka në fushë dhe tani kam besim se do të rikthehemi tek suksesi, – ka këmbëngulur ai. – Objektivi ynë është i qartë, të fitojmë me Turqinë, më pas të mendojmë për duelin me Andorrën. Të enjten do të shpall listën e lojtarëve dhe deri atëherë nuk dua të bëj komente rreth emrave. Po mendojmë për duelin me turqit, një ndeshje që dëshirojmë dhe besoj se do ta fitojmë”, – përfundoi trajneri Panuçi.
Por, pavarësisht optimizmit të tij, lënia jashtë e Lenjanit i cili po kalon një moment shumë të mirë me Sionin në Superligën e Zvicrës, teksa ka dhënë pasime goli e ka shënuar madje gola, duke qenë dhe me minutazh të mirë, dëshmojnë se Panuçi po nis një sezon të ri me huqe të vjetra, i fokusuar më shumë tek eksperimentet.