Nga Gëzim Sinemati * 15.09.2015 23:35
Goli i mallkuar i Velosos, në sekondat e fundit, nuk na vodhi vetëm pikët, por na hoqi edhe maskën e lumturisë. Vetëm një gol, në epilog, për të kuptuar se edhe patriotizmi kuqezi varet nga rezultati. Pas humbjes nuk shikon më futbollistë duke firmosur me bujë mbi flamurin kombëtar, presidenti Duka nuk shfaqet fare e jo më euforik dhe me qeleshe si në Danimarkë. I vetmi ngushëllim, midis pozave kuqezi, mbeti rituali kokë më kokë pas ndeshjes, i frymëzuar nga kapiteni Cana.
Një gjest, i cili provokoi kureshtjen popullore: çfarë po u thotë kapiteni? Sikur t’u kishte thënë se:
“Te goli kisha faj unë që gabova me topin, Berisha me daljen e dyzuar dhe ju që avulluat të gjithë”, do të kishin merituar një lloj faljeje. Për fat të keq, fjalët kokë më kokë paskan pasur tjetër kumbim: të shohim para, sepse këtë humbje të pabesë e kurdisi fati. Kur fituam në Portugali, apo kur barazuam në Danimarkë, fati nuk gjen vend në euforinë tonë. Sapo humbasim, fati është kundërshtari ynë më i keq. Goli i portugezit Veloso ka qenë “i mallkuar” jo vetëm për pikët që humbëm, por cënoi edhe harmoninë e predikuar në familjen kuqezi. Nga zyrat e FSHF-së, nëpërmjet zërit të ëmbël të zëdhënëses, kupton se lumturia kuqezi mund të cënohet edhe në… sekondat shtesë. “Trajnerin De Biazi e bëmë ne me famë”, kjo deklaratë nuk është një kapriçio e një punonjësi, siç duan ta shpjegojnë disa, por xhelozi që vjen nga lart. Cili do të guxonte të fliste me kokën e tij në një klasë pa gojë. Sipas tyre, ka një logjikë të fshehur, ku “golat” nuk i bëjnë vetëm futbollistët poshtë në fushë, por edhe të padukshmit.
Për të minimizuar arritjet e trajnerit italian, edhe nëse nuk kualifikohemi për në Francë, disa zyrtarë thonë se:
“Xhani ka fat që president ka Dukën”. Dhe pikët ndaj Serbisë, për të cilat nuk thuhet se ishin tonat, por krenohemi që i blemë bukur, janë të presidentit më shumë sesa të trajnerit. Pra, 3 golat që “shënuam” në tavolinë s’kanë emër në listën e golashënuesve, por kjo nuk do të thotë se janë pa zot. Një trajner, kur pret të kualifikohet midis më të mirëve të Evropës, edhe pse pranon publikisht se në Shqipëri është hall i madh ku të stërvitesh, duhet të tregojë talent kur flitet për heroin e vërtetë të ekipit
* Botohet me lejen e autorit dhe në respekt të ekskluzivitetit kohor të medias që e ka botuar fillimisht
Linku i artikullit origjinal: