AlbanianSport.com 12/10/2018 15:15
ASNN – Dy lojtarë të Kombëtares janë dëmtuar në ndeshjen kundër Jordanisë dhe nuk do të jenë të gatshëm për sfidën e madhe me Izraelin. Lajmin e jep vetë federata Shqiptare e Futbollit, e cila zbulon “gjëmën” nga brenda radhëve të skuadrës.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Frederik Veseli dhe mesfushorin Ylber Ramadani, të cilët janë larguar nga grumbullimi i kuqezinjve në Durrës për shkak të pamundësisë së stërvitjes. Trajneri Kristian Panuçi ka marrë menjëherë masat e nevojshme, duke i zëvendësuar me dy emra të tjerë, konkretisht mesfushorin Sabien Lilaj dhe mbrojtësin Ivan Balliu.
Situata nuk duket aq premtuese, pasi pikërisht në ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë u dëmtua dhe talenti Enea Mihaj, i cili luajti vetëm 7 minuta lojë. Parë në këtë kuadër, problemet po e shoqërojnë skuadrën kombëtare në prag të duelit vendimtar me Izraelin.
Njoftimi i FSHF-së
“Për shkak të problemeve fizike dhe konkretisht tërheqjeve muskulore të pësuara gjatë ndeshjes miqësore ndaj Jordanisë futbollistët e ekipit kombëtar, Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar për të vijuar me fazën riaftësuese. Trajneri i skuadrës përfaqësuese Kristian Panuçi, ndërkohë ka kryer menjëherë zëvendësimet e duhura.
Kështu brenda ditës së sotme skuadrës do ti bashkohen mbrojtësi Ivan Balliu dhe mesfushori Sabien Lilaj, të cilët do të jenë në dispozicion të skuadrës kombëtare, në vigjilje të ndeshjes zyrtare të datës 14 tetor ora 20:45 në Izrael. Shqipëria sipas programit, sot ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, teksa do të ketë edhe një të dytë pasdite, por me dyer të mbyllura”, shkruhet në njoftimin e përcjellë nga FSHF.