Adriatik Balla 07.06.2015 07:55
Trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, është i lumtur që do të ketë në dispozicion të tij shumicën dërrmuese të lojtarëve të përfaqësueses për miqësoren me Francën, takim që do të luhet mbrëmjen e 13 qershorit në “Elbasan Arena”. Lista e lojtarëve të Kombëtares pritet të publikohet nga vetë De Biazi ditën e hënë, në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku pritet të japë edhe një konferencë për shtyp.
De Biazi pritet të zbulojë të hënën edhe ndonjë surprizë sa u takon lojtarëve të grumbulluar. Megjithatë, bërthama e ekipit mbetet dhe këtë e tregon fakti se ai vazhdimisht përmend Canën, Mavrajn, Agollin, apo ndonjë tjetër, të cilët janë shtyllat e ekipit. Ndërkohë, pasi siguruan pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, futbollistët e Lacios kanë marrë pushimet.
Por disa prej tyre nuk do të jenë më nën urdhrat e Piolit. Sipas mediave pranë klubit kryeqytetas, njeri prej tyre është Lorik Cana, i cili kërkohet nga dy klube jashtë Italisë, e më konkretisht, Olimpiku i Marsejës në Francë dhe Shalke 04-ra në Gjermani. 32-vjeçari mësohet se dëshiron të provojë një përvojë të re në Bundesligë, për shkak të atmosferës së jashtëzakonshme që krijohet në stadiumet gjermane.