AlbanianSport.com 06.09.2015 20:35
ASNN – “Një sfidë me vlerë të trefishtë” e ka cilësuar trajneri Xhovani De Biazi ndeshjen e Kombëtares ndaj Portugalisë. Gjatë konferencës për shtyp, të mbajtur në “Elbasan Arena”, trajnerin kuqezi ka theksuar se Shqipëria duhet të guxojë për gjithçka të hënën, kur të zbresë në fushën e blertë për t’u ndeshur me Portugalinë. Më pas, ekipi kuqezi ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në përgatitje për ndeshje me portugezët.
Për trajnerin e Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, Shqipëria duhet të guxojë për gjithçka të hënën, kur të zbresë në fushën e blertë të Stadiumin “Elbasan Arena”, për t’u ndeshur me Portugalinë. Madje për 59-vjeçarin italian me pasaportë shqiptare, sfida e së hënës ka një vlerë të trefishtë. Optimist për fitoren është shprehur edhe sulmuesi Shkëlzen Gashi.
Më pas, ekipi kuqezi, i drejtuar nga trajneri De Biazi, ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në përgatitje për ndeshje me portugezët. Sikundër e pohoi edhe vetë trajneri në konferencën e shtypit, mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj, nuk ka arritur ta kapërcejë dëmtimin dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së hënës.
Ajo që vlen të theksohet është se, ndërsa pjesa më e rëndësishme e stërvitjes, ajo taktike, është zhvilluar me dyer të mbyllura, pjesa e fundit, ajo e një mini-ndeshjeje testuese, është zhvilluar me dyer të hapura dhe me një interesim të jashtëzakonshëm të tifozerisë në “Elbasan Arena”.