Albaniansport.net 22.01.2016 17:05
ASNN – Përgatitjet për fazën finale të Evropianit “Francë 2016”, kanë filluar ta shqetësojnë që tani trajnerin e Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi. Italiani i kuqezinjve ka vizituar këto ditë dy qendra stërvitore në Austri, duke i menduar si të mundshme për fazën përgatitore të Kombëtares kuqezi përpara Evropianit.
Kështu, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhovani De Biazi ka filluar të mendojë që tani se ku do të grumbullohet skuadra përpara finaleve të Evropianit “Francë 2016”. Faqja “International Football Camp Styria” ka zbuluar disa detaje shumë interesante duke cituar se Kombëtarja e Shqipërisë, mund të përgatitet në Austri.
Bëhet fjalë pikërisht në Shtajermark (Stiria) para fazës finale të Kampionatit Evropian, që do të luhen nga data 10 qershor deri më 10 korrik të këtij viti në Francë. Për këtë qëllim, trajneri i Shqipërisë, Xhovani de Biazi, ka vëzhguar nga afër kampin stërvitor në Bad Valtersdorf.
Përfaqësuesja shqiptare e ka marrë në konsideratë këtë vend si kamp trajnimi për t’u përgatitur për ngjarjen e madhe të verës. Të dyja vendndodhjet, Bad Radkersburg dhe Bad Valtersdorf, u vizituan nga trajneri De Biazi, i cili është shoqëruar nga drejtori i këtij kompleksi stërvitor, Kian Valizadeh.