AlbanianSport.com 08.02.2016 12:55
ASNN – Leister Siti si Shqipëria. Skuadra modeste angleze po jeton ëndrrën në Premier Ligë, duke kryesuar kampionatin dhe nga humbësja e madhe është kthyer në pretendenten e madhe. E drejtuar nga një italian si Klaudio Ranieri, gjeti mënyrën e duhur për të lënë pas rivalët, ashtu si kuqezinjtë e Xhovani De Biazit.
Pas fitores me Mançester Siti, Ranieri është përgëzuar nga De Biazi me një mesazh. “Përshëndetje Klaudio, e pashë ndeshjen dhe u gëzova si të ishte skuadra ime, – i shkruan De Biazi kolegut të tij. – Vura re emocion në fytyrën tënde dhe goli i kundërshtarit ishte një gjysmë pozicion jashtë loje.”
“I doli përballë një skuadër që, nga e pavetëdijshme, është kthyer në të vetëdijshme se ka mundësitë e saj, – vijon italiani për bashkëatdhetarin e tij. – Edhe ne, si Leister Siti, u ftuam në tavolinën e të mëdhenjve, por e fituam me shumë mund. Shpesh, nëse ka një organizim, skuadra mund të bëjë më shumë se individualitetet.”
Shqipëria po përjeton të njëjtën ëndërr, pasi këtë verë do të debutojë, për herë të parë në histori, në fazën finale të një veprimtarie madhore futbollistike, siç është Kampionati Evropian “Francë 2016”.