AlbanianSport.com 12.06.2017 15:15
ASNN – Kontrata e trajnerit të Kombëtares me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) përfundon në nëntor. Pas rezultateve negative radhazi të kohëve të fundit, të arritura nga skuadra kuqezi , trajneri italian duket se kishte vendosur që t’i thonte “jo” rinovimit. Por pas fitores me Izraelin, ai ka qenë në mëdyshje teksa është përgjigjur se do të japë një përgjigje të martën.
Pra, a do ta rinovojë kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit, trajneri i kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi. Në konferencën për shtyp të dhënë përpara ndeshjes me Izraelin, pyetjes së bërë nga kryeredaktori i departamentit të Sportit në RTSH, Pano Xhixho, ai është përgjigjur: “Jo!” Ka qenë një “Jo” e prerë, që nuk linte shteg për diskutime.
Por, pas ndeshjes, fitorja e bukur e skuadrës së tij duket se ia ka ndryshuar mendjen trajnerit të kuqezinjve, teksa në mikrofonin e RTSH është përgjigjur sërish fjalëpak: “Takohemi pasnesër dhe flasim!” Kontrata e trajnerit të Kombëtares me FSHF-në, përfundon në nëntor. Tashmë asgjë nuk është e sigurt nëse trajneri italian do të vazhdojë të qëndrojë në timonin e kuqezinjve apo aventura e tij me ta do të mbyllet.