AlbanianSport.com 21.03.2016 14:20
ASNN – Dy miqësoret e radhës, ndaj Austrisë dhe Luksemburgut janë një test i rëndësishëm për kombëtaren shqiptare, në prag të finaleve të Evropianit. Trajneri i kuqezinje, Xhovani De Biazi, ka folur për lojtarët që ka grumbulluar, ata që do të mungojnë dhe për të ardhmen e tij.
“Më pëlqen t’i marr gjërat me radhë”, – ka thënë trajneri italian, duke lënë të hapur çdo hipotezë. “Lojtarët që kanë aftësi të mira teknike dhe që luajnë vetëm për vete, jo në funksion të skuadrës, nuk do të kenë vend në kombëtare”. Kështu është shprehur Xhovani De Biazi në konferencën për shtyp, në prag të dy miqësoreve me Austrinë dhe Luksemburgun.
Bëhet fjalë për Kaçen dhe Mehën të cilët nuk janë thirrur për këto dy miqësore. “Nuk më duhen në ekip lojtarë që kanë aftësi të mira teknike, por që nuk i vënë në funksion të ekipit kombëtar, – ka thënë De Biazi. – Ne, në skuadër, kemi moton “një për të gjithë e të gjithë për një”. Kush nuk vepron kështu, nuk ka vend në skuadër.”
De Biazi ka dhënë një përgjigje edhe për akuzat e drejtorit të Partizanit, Dritan Dervishi. Ky i fundit ka thënë për trajnerin e Kombëtares se nuk është i pranishëm në disa ndeshje të rëndësishme të kampionatit shqiptar. “Nuk më pëlqen të përzihem në punët e të tjerëve dhe anasjellas”, – ka thënë italiani me pasaportë shqiptare.
“Unë kam axhendën time dhe nuk mund të vij shpesh në Shqipëri, – ka vijuar ai. – Por kjo nuk më ndalon të shikoj ndeshjet e kampionatit shqiptar. Unë e pashë në televizion ndeshjen Bajern i Mynihut-Juventus. Po kështu edhe Partizani-Skënderbeu. Madje e kam parë disa herë në TV, gjë që nuk mund ta bëja në stadium.”
I pyetur për të ardhmen, nëse mund të marrë drejtimin e Italisë, pasi vendi është bosh, De Biazi përgjigjet: “Më pëlqen t’i bëj gjërat me radhë. Tani jam i përqendruar vetëm në ndeshjen e 11 qershorit, e para në Evropian. Dua të shikoj si do të shkojë ecuria e skuadrës time atje. Më pas do të shikoj se çfarë do të bëj.”
Ndërsa për ecurinë e përfaqësues në finalet e Evropianit, De Biazi shprehet se do të luftojmë deri në fund.”E dimë që jemi një grup i vështirë, por do të luftojmë për të fituar, – thotë ai. – Na duhet të përveshim mëngët, siç kemi bërë deri tani dhe të kthehemi në luftëtarë në fushë.”
“Edhe në grupin eliminator na quanin të fundit për nga pretendimet, por ja që u kualifikuam, – ka kujtuar trajneri kuqezi. – Kemi një skuadër të mirë dhe duhet të shfrytëzojmë punën që kemi bërë deri tani. Jam optimist nga natyra dhe them që edhe në fazën finale të Evropianit do të dimë t’i kapërcejmë vështirësitë për të bërë surprizë.”