AlbanianSport.com 08.11.2014 12:05
ASNN – “Një mundësi për të harruar traumën e Beogradit dhe dy kundërshtarë nga të cilët mund të mësojmë shumë”. Kjo ka qenë me pak fjalë përmbledhja e konferencës për shtyp që trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, ka dhënë të shunën në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit, në prag të përgatitjeve për ndeshjen e 14 nëntorit me Francën dhe atë të 18 nëntorit me Italinë.
Trajneri i kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, ka theksuar se dy ndeshjet e radhës, atë të 14 nëntorit me Francën dhe atë të 18 nëntorit me Italinë, janë një mundësi për të harruar traumën e Beogradit. “Kujtojmë se këto dy ndeshje miqësore vijnë direkt pas incidenteve të rënda në Beograd, ndaj duhet të rehabilitojmë veten psikologjikisht”, – ka deklaruar ai.
“Duhet të kalojmë traumën e të rikthehemi tek besimi i duhur për kualifikuesen më të afërt, me Portugalinë, – ka vijuar De Biazi. – Sa i përket asaj që ndodhi në Beograd, e përsëris se ishin ngjarje të rënda. Shpresoj të mos më ndodhin më kurrë në karrierën time si trajner. Situata ishte e rëndë dhe këtë e panë të gjithë. Kam besim se në fund të procesit do të dalim të fituar.”
“Kam besim se drejtësia do të vihet në vend dhe ajo është në anën e Shqipërisë”, – ka shtuar 58-vjeçari italian. Gjatë konferencës për shtyp që ka dhënë të shunën në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit, De Biazi ka theksuar se Franca dhe Italia janë dy kundërshtarë nga të cilët mund të mësojmë shumë. “Përpara na presin dy ndeshje miqësore, në të cilat duhet të testojmë veten dhe të marrim më të mirën”, – ka thënë ai.
“Franca dhe Italia janë dy skuadra shumë të mira, – ka vijuar De Biazi. – Po bëjmë një punë të mirë me një grup lojtarësh të rinj. Me Francën do të jetë një ndeshje me kapacitet të plotë, sepse të dyja skuadrat do të kenë në përbërje lojtarët më të mirë, ndërsa me Italinë do të jetë paksa ndryshe. Italia luan të dielën dhe të marten, ndaj Konte do provojë të rinjtë ndaj nesh.
Në listën prej 27 lojtaërsh të shpallur nga De Biazi për dy ndeshjet e radhës, nga të cilët 12 janë mesfushorë dhe 8 janë mbrojtës, spikat thirrja për herë të parë e Arlind Ajetit, ndërsa Stivi Frashëri vjen si portier i tretë, ashtu sikundër rikthehet Ledion Memushaj.