Adriatik Balla 27.08.2015 15:15
Ndeshja Danimarkë-Shqipëri që do të luhet në Kopenhagen, më 4 shtator pritet të jetë mjaft e nxehtë dhe me probleme të mprehta, pasi policia daneze është njoftuar tashmë se një numër mjaft i madh biletash (mendohet mbi 5 mijë) të kenë rënë në duart e tifozëve shqiptarë që do të mbështesin ekipin kuqezi. Për të evituar përplasjet në shkallët e stadiumit, federata daneze ka kontaktuar me grupimet e tifozëve kuqezi dhe ka kërkuar që biletat të kthehen, se ndryshe ajo nuk do t’i lejojë ata që i kanë që të hyjnë në stadium. Problemi më i vështirë i federatës daneze është identifikimi i biletëmbajtësve.
Por ajo ka marrë masa ekstreme, duke thënë se shqiptarët do të identifikohen nga flamujt, nga rrobat, gjuha e komunikimit dhe për t’i zbuluar janë marrë masat për aplikimin e metodave të ndryshme policore. Megjithatë, frika ekziston dhe takimi mes zyrtarëve të federatës daneze, policisë së Kopenhagenit dhe natyrisht përfaqësuesve të grupimit “Tifozat Kuqezi” ishte programuar për gjetjen e një marrëveshjeje. Palët dështuan të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi, nga ana e tyre, danezët kërkuan kthimin pa kusht të biletave dhe ndalimin e shqiptarëve të hyjnë në tribunat që nuk janë përgatitur për to.
Përfaqësuesit e tifozëve kuqezi kanë mbajtur një qëndrim rreth takimit, duke pranuar se ai dështoi dhe nuk ka marrëveshje mes përfaqësuesve të grupimit të “Tifozëve Kuqezi” dhe Federatës së Futbollit të Danimarkës (DBU. Në mbledhjen e fundit që është mbajtur mes këtyre dy palëve dhe policisë, Federata Daneze ka këmbëngulur se tifozëve shqiptarë në ndeshjen Danimarkë-Shqipëri, e cila luhet më 4 shtator në Kopenhagë, do t’iu ndalohet hyrja në të gjitha pjesët tjera të stadiumit, përveç tribunave që, me rregullore, i takojnë skuadrës mike. Lajmin e ka konfirmuar Salih Shala, përfaqësues i “Tifozëve Kuqezi” për Skandinavinë.
“Ju njoftojmë që pas bisedimeve dhe takimeve me DBU-në dhe policinë daneze, jemi të detyruar t’ju njoftojmë që juve që keni siguruar bileta jashtë sektorit D1/D2, sipas vendimit të DBU-së, në hyrje të stadiumit do t’iu ndalohet hyrja atyre që identifikohen si tifoz shqiptar përmes flamujve, teshave ose mënyrave tjera”, – tha Shala për mediat. Federata daneze për tifozët shqiptarë, ka parashikuar 2,150 bileta. Nisur dhe nga informacioni i ardhur, por edhe qëndrimin e mëparshëm që ka mbajtur federata daneze për këtë çështje, duke shprehur shqetësim jo të vogël, kuptohet që pritet të kemi një përballje mjaft të fortë dhe një tifozeri entuziaste nga të dy palët.
FSHF ende nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë për këtë problem, megjithëse rregulloret i japin të drejtë në këtë rast Danimarkës.