Adriatik Balla 14.06.2015 17:40
ASNN – Duke folur për mikrofonin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar pas fitores me Francën, protagonistët e Kombëtares kuqezi kanë shprehur kënaqësinë për një triumf të merituar, duke pasqyruar edhe optimizëm për ndeshjet e mbetura të Eliminatoreve të Evropianit 2016.
Një nga këta ishte edhe sulmuesi Sokol Çikalleshi, i cili është një gjetje e duhur e De Biazit për ekipin kombëtar. Ai nuk shënon, por mban në ankth mbrojtjet kundërshtare, duke qenë i rrezikshëm gjatë gjithë kohës. Ka siguri dhe forcë, gjë që e bën të rrezikshëm për mbrojtjet kundërshtare.
Pas takimit ai u shpreh i lumtur për fitoren historike ndaj Francës dhe kujtoi se Shqipëria po rritet dhe ka arsye të shumta të besojë se është e zonja për të shkuar në Evropian. “Unë ndihem i lumtur nga fitorja, pavarësisht se kush e shënoi golin”, – ka deklaruar Çikalleshi.
“Mendoj se bëra një ndeshje të mirë, megjithëse golin e shënoi Kaçe, – ka vijuar futbollisti që javët e fundit u zhvendos nga kampionati kroat, në atë turk. – Shpresoj të luajmë kështu vazhdimisht e të shkojmë në Evropian. Skuadra po funksionon dhe kjo ka më tepër rëndësi.”