AlbanianSport.com 20.05.2015 20:15
ASNN – Në qershor, Shqipëria luan një ndeshje miqësore me Francën, e cila shihet si test, por ka një problem në ndeshjet zyrtare. I pyetur nga e përditshmja shqiptare, “SOT”, nëse besonte se Kombëtarja kuqezi e ka kaluar këtë problem dhe a është ajo në gjendje të kualifikohet, ish-futbollisti i Kombëtares dhe tashmë trajner i shumë ekipeve në kampionatin shqiptar të futbollit, Agim Canaj, është shprehur optimist.
“Unë mendoj se fitorja jonë me përmbysje ndaj Armenisë ka shënuar një kthesë të madhe, pra e kemi kaluar atë cak të vështirë, – ka deklaruar ai për të përditshmen në fjalë. – Ne e kemi pasur këtë problem, që në momentet vendimtare kalonim në vetëvrasje, por këtë herë ishte ndryshe. Mendoj, gjithashtu, se kjo skuadër mund të arrijë diku dhe miqësorja me Francën është një test i shkëlqyer për të parë ku jemi.”
“Është një barometër ideal për të parë gjendjen grupit dhe forcën e tij, – ka theksuar Canaj. – Mendoj se duhet të nxjerrim mësime nga e shkuara e të shohim përpara. Kjo që kemi arritur deri tani është meritë e të gjithëve dhe lojtarët kanë shanse këtë herë të sigurojnë kualifikimin. Ne s’kemi dallime esenciale në grup me rivalët tanë, por kemi një grup të shëndoshë dhe për mua kjo është arma më e fortë.”
“Këtij ekipi ndoshta i mungon një lojtar që bën diferencë, që zgjidh situatat, siç e ka Portugalia apo ndonjë tjetër”, – ka thënë Canaj, i cili është pyetur edhe cilin do të vlerësonte më shumë në Kombëtare, ka veçuar disa elementë, por mbi të gjitha, frymën e grupit. “Dua të veçoj portierin Berisha, por edhe mbrojtësin Mavraj, – ka thënë ai. – Në rritje ka ardhur edhe Cikalleshi dhe lojë të mirë ka bërë mesfushori Taulant Xhaka.”
“Megjithatë, insistoj që meritën e ka grupi dhe fryma e tij. Shpresoj të mos zhgënjehemi”, – ka përfunduar ish-futbollisti i Kombëtares dhe tashmë trajner i shumë ekipeve në kampionatin shqiptar të futbollit, Agim Canaj.