AlbanianSport.com 15.11.2014 14:35
ASNN – Kapiteni kuqezi ka thyer të premten rekordin e Altin Lalës me 80 ndeshje me kombëtaren shqiptare. Ndeshja kundër Francës ishte e 80-ta për Lorik Canën, që hyn në histori si futbollisti me më shumë ndeshje të luajtura me skuadrën shqiptare. Po ashtu, miqësorja e fundit shënoi debutimin e dy futbollistëve të rinj me skuadrën kuqezi, Ajeti dhe Shala.
Nga Zvicra në Francë. Dy vende që janë të lidhura ngushtë me jetën e Lorik Canës, por që kanë shënuar dhe dy pika kulmore të karrierës së tij me kombëtaren shqiptare. Ishte 11 qershori i vitit 2003 kur mbrojtësi debutoi me ngjyrat kuqezi në humbjen 3-2 kundër Zvicrës. Nga ajo ditë kanë kaluar më shumë se 11 vjet dhe në stadiumin “Rut de Loriont” të Renës, Cana vendos rekordin si futbollisti më me shumë ndeshje në përfaqësuesen shqiptare.
Miqësorja kundër Francës ishte e 80-ta për mbrojtësin që le pas Altin Lalën me 79 paraqitje me skuadrën kuqezi. Shifra që konfirmojë Canën si pjesë të historisë së kombëtares shqiptare, por edhe pa to asgjë nuk mund të zbeh rolin e tij në Kombëtare. Tashmë kapiten, Lorik Cana shihet si një trajner i dytë në fushë. Nuk ka frikë të marrë përgjegjësi edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë.
Nuk i mungon asnjëherë grinta, ndërsa është i gatshëm të ndihmojë gjithë shokët e skuadrës edhe kur nuk bëhet fjalë vetëm për futboll. Tani një nga shtyllat e kombëtares shqiptare, Lorik Cana dha shembullin e parë të rëndësishëm dhe të tjerë futbollistë me origjinë kosovare të lindur dhe rritur në vende të ndryshme të Evropës e ndoqën duke zgjedhur të luanin me ngjyrat kuqezi.
Të fundit që janë Arlin Ajeti dhe Herolind Shala. Dy futbollistët bënë debutimin e tyre me përfaqësuesen shqiptare. Ishte vetëm ndeshja e parë për ta, por nëse ndjekin shembullin e Lorik Canës do të ketë dhe shumë të tjera, madje në të ardhmen bashkë me kapitenin mund të jenë pjesë e realizimit të një ëndrre të madhe siç është kualifikimi në një veprimtari të rëndësishme evropiane apo botërore.