AlbanianSport.com 15/10/2018 07:00
ASNN – Pas ndeshjes me Izraelin, që Shqipëria e humbi 0-2, kanë folur disa nga futbollistët dhe sulmuesi Bekim Balaj “vajtoi” fatin e keq që nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës. “Nuk arrita të shënoj, në ato raste që u krijuan u mundova të bëj më të mirën, por nuk mjaftoi, sepse topi nuk shkoi në rrjetë, – ka deklaruar ai. – E vuajtëm mungesën e golit, dhe ndikoi.
“Luajtëm mirë, e kishim përgatitur mirë, dhe të vjen keq që humbim 2-0, ka vijuar shkodrani. – Minimumi do ishte një barazim i drejtë, krijuam shumë raste, por në futboll ndodh.” I pyetur se, sipas specialistëve, duhej futur Vrioni, bashkë me Balajn, ky i fundit pati edhe një mendim për skemat e trajnerit. “Është zgjedhje e trajnerit, por nëse shtohen lojtarë në zonë, e rrit rrezikshmërinë”, – tha ai.
“Mund të luanim me dy, ose me 5 sulmues në ato minuta, sepse duhej të shënonim, por i takon trajnerit”, – ka përfunduar sulmuesi i Kombëtares kuqezi. Ndërsa për sulmuesin tjetër, Eros Grezda, Shqipëria nuk e meritoi humbjen. Ai u shpreh se ky ishte 90 minutëshi i parë 6 muajsh. “Është ndjenjë e keqe sepse nuk meritonim të humbnim, – tha ai. – Kishim shumë raste dhe nuk i shfrytëzuam.”
“Në pjesën e dytë bëmë ndeshje tjetër pasi Izraeli e kuptoi pak lojën tonë, – ka vijuar futbollisti kuqezi. – Megjithatë, duhet të shënonim. Fati nuk deshi, sepse godiste portierin, por ky ështe futbolli.” Duke folur për formën e tij, ai tha: “Është e vështirë normale. Nuk jam në formën time më të mirë. Luajta 90-minutëshin e parë pas 6-7 muajsh. Ishte e vështirë për mua të gjeja hapësira sepse më dublonin.”