AlbanianSport.com 26.05.2016 16:15
ASNN – Shkëlzen Gashi dhe Bekim Balaj janë dy futbollistë që kanë dhënë mendimet e tyre për fazën finale të Evropianit, në konferencën për shtyp të së enjtes të dhënë nga qendra stërvitore e kombëtares në Austri. Të pranishëm në këtë konferencë për shtyp kanë qenë edhe media ndërkombëtare.
Sulmuesi Bekim Balaj i shikon të gjithë kundërshtarët e grupit njësoj. “Evropiani është një mundësi e artë për të gjithë, që të tregojnë vlerat e tyre, – deklaroi sulmuesi kuqezi që militon në kampionatin kroat të futbollit. – Unë mendoj se nuk ka rëndësi se kush është kundërshtari, ne duhet te japim maksimumin në çdo ndeshje.”
Historia e kulafikimit në evropian nisi pikërisht nga këmbët e tij, me atë supergol në Estádio Municipal de Aveiro, në 7 shtatorin e vitit 2014. Pas 2 vjet e gjysmë Bekim Balaj është në një formë optimale dhe kërkon që gjurmë të lërë edhe në finalet e Evropianit që starton pas 15 ditësh.
Në konferencën për shtyp sulmuesi shkodran është shprehur se nuk e tremb konkurrenca me sulmuesit e tjerë, por e rëndësishme është që skuadra të jetë në formën e duhur. “Mendoj se jam në një firmë optimale për të qenë i gatshëm me ekipin kombëtar”, – thotë ai.
“Kam zhvilluar një sezon të mirë, – vijoi Balaj. – Në skuadër janë sulmues të fortë, por e rëndësishme është që të punojmë në maksimum.” Faza finalet e Evropianit është historike për futbollin shqiptar, por, për shkodranin, akoma edhe më e madhe është rëndësia për ata që do të mbajnë veshur fanellën në këtë veprimtari.