AlbanianSport.com 05/03/2024 10:50
ASNN – Shqipëria luan miqësoren e fundit para Euro 2024 me Azerbajxhanin më datë 7 qershor 2024. Kështu, pas dakortësisë për të luajtur një ndeshje miqësore me Lihtenshtejnin, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka gjetur gjuhën e përbashkët me Federatën e Azerbajxhanit për të zhvilluar një tjetër miqësore në muajin qershor, para nisjes së Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”.
Ndeshja miqësore me Azerbajxhanin do të luhet më datë 7 qershor 2024, ndërkohë mbetet për t’u përcaktuar orari dhe stadiumi ku do të luhet kjo sfidë. Kjo do të jetë ndeshja e 6-të në histori mes dy skuadrave, teksa Shqipëria numëron 3 fitore, një barazim dhe një humbje kundër Azerbajxhanit. Kombëtarja kuqezi do të luajë fillimisht dy takime miqësore në muajin mars.
Kuqezinjtë do të përballen me Kilin më datë 22 mars 2025, në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, duke nisur nga ora 20:45. Ndërsa 3 ditë më vonë më datë 25 mars 2024, Kombëtarja do të luajë me Suedinë në Stadiumin “Friends Arena“ të Stokholmit. Në muajin qershor Shqipëria do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera miqësore. E para me Lihtenshtejnin më datë 3 qershor 2024.
Ndërsa takimi i fundit miqësor para nisjes së Evropianit do të jetë ndaj Azerbajxhanit më datë 7 qershor 2024. Kombëtarja shqiptare do të debutojë në finalet e Evropianit “Gjermani 2024” më datë 15 qershor 2024, në takimin e parë ndaj Italisë, që do të luhet duke nisur nga ora 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë 4 ditë më pas.
Më 19 qershor 2024, skuadra e Silvinjos do të luajë kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkshtadion” të Hamburgut. Ndërsa takimin e fundit në grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor 2024 në stadiumin “Dyseldorf Arena”, duke nisur nga ora 21:00.