AlbanianSport.com 12/04/2020 20:20
ASNN – Emri i tij është lidhur përjetësisht me Kombëtaren e Shqipërisë, teksa ishte ai strategu që i udhëhoqi kuqezinjtë e futbollit drejt pjesëmarrjes për herë të parë dhe të vetme në histori, të paktën deri më tani, në fazën finale të një veprimtarie madhore, siç ishte Evropiani i Francës. Dhe natyrisht, ajo aventurë historike do të rrëfehet ndër breza dhe kush më mirë sesa ai mund të ofronte një këndvështrim unik dhe mjaft interesante mbi këtë kapitull të artë të futbollit shqiptar.
Kësisoj, ish-trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, është duke shfrytëzuar periudhën e izolimit për të shkruar libër me kujtimet e jashtëzakonshme në drejtimin e Shqipërisë. Këtë detaj tepër interesant, 63-vjeçari, e zbuloi gjatë një interviste për të përditshmen prestigjioze spanjolle “Marça”, teksa tregoi në cilin kapitull është. “Po shkruaj në këto ditë historinë time me Shqipërinë futbollistike, po shkruaj dhe jam te kapitulli i 3-të i këtij libri”, – ka thënë italiani me pasaportë shqiptare.
“Është diçka që po bëj për të hedhur në letër një përvojë që kam të qartë në kokë, – ka vijuar ish-trajneri kuqezi. – Lexoj, mesoj anglisht, që më nevojitet për punën.” Ndërkohë, media spanjolle e ka pyetur De Biazin edhe për projektet e tij si trajner. “Para se të mbyllej gjithçka për problemin e koronavirusit, kam pasur një mundësi për një përfaqësuese të një vendi evropian dhe, shpresoj që kur të mbarojë kjo karantinë, të bëj të mundur që të firmos një kontratë të re me një ekip përfaqësues.”
“Më mirë të mos themi se kush është”, – përfundoi ish-trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi.