AlbanianSport.com 09.02.2015 17:05
ASNN – Fitorja historike ndaj Portugalisë, si dhe ndeshja e ndërprerë në Beograd me Serbinë ka bërë që tifozët shqiptarë të presin me pa durim ndeshjen ndaj Armenisë. Lidhur me këtë takim, mbrojtësi kuqezi Ansi Agolli ka theksuar rëndësinë që merr përballja në këto momente të këtij edicioni eliminator, duke i cilësuar armenët një kundërshtar shumë të vështirë.
Futbollisti i Kombëtares kuqezi, Ansi Agolli, e ka cilësuar sfidën kundër Armenisë si një ndeshje mjaft të vështirë. Duke folur për mediat në gjuhën shqipe në Maqedoni, Agolli ka folur edhe për pritshmëritë e mëdha që ka ky takim te grupimet e shumta të tifozëve shqiptarë. “Unë mendoj se ndeshja me Armeninë do të jetë më e vështira deri më tani, ndoshta në anën sportive më e vështirë se ndeshja në Beograd”, – ka deklaruar ai.
“Kjo, për vetë faktin se na kërkohet fitorja me çdo kusht, – ka vijuar futbollisti kuqezi. – Mirëpo, ne duhet ta përgatisim me qetësi këtë takim. Nuk duhet të kemi presion më shumë se sa duhet, përkundrazi, duhet ta përgatisim si një ndeshje të radhës si kundrejt një kundërshtari me kualitete. Le t’i lëmë ëndrrat mënjanë dhe të përqendrohemi vetëm te kundërshtari që kemi më 29 mars.”
“Vetëm kështu mundemi të japim më të mirën tonë”, – ka përfunduar mbrojtësi i Kombëtares. Takimi Shqipëri-Armeni luhet më 29 mars 2015 në Stadiumin “Elbasan Arena”.