AlbanianSport.com 17.01.2017 18:20
ASNN – Ndonëse ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, qoftë nga trajnerit Xhovani De Biazi, qoftë nga Federata Shqiptare e Futbollit, duket se Marko Veroneze do të jetë pasuesi i Paolo Tramexanit tek Kombëtarja kuqezi. Kjo, të paktën sipas gazetarit të “Sky”, Xhanluka di Marcio. Ai shkruan se Veroneze, një ish-lojtar i Modenës, në kohën kur drejtohej nga Xhovani De Biazi, do të bëhet ndihmësi trajnerit të kuqezinjve.
Marko Veroneze është rritur tek ekipet zinxhir të Interit, duke qëndruar pak me skuadrën e parë. Roli i tij në fushë ishte sulmues. Ai ka veshur në të kaluarën edhe fanellat e Rexhinës, Kievo sapo Viçencës. Karrierën e trajnerit e nisi në 2012 me skuadra të rinjsh te Pavia, duke vijuar me ekipin e parë dhe më pas si zv/trajner te Monza dhe Kremoneze.
Marco Veroneze është 40 vjeç dhe Shqipëria është një mundësi e mirë për të shtuar përvojën. Kështu, pra, Xhovani De Biazi duket se e ka gjetur njeriun e tij të besuar, zv/trajnerin e përfaqësueses së Shqipërisë. Ai është ish-lojtari i tij në vitet 2001-2002, kur drejtonte Modenën, ish-sulmuesi Marko Veroneze. Edhe pse ai është një ish-futbollist me një karrierë jo shumë të pasur përsa i përket asaj futbollistike.
Kjo, pasi në 354 ndeshje ka shënuar vetëm 73 gola, ai duket se ka bindur De Biazin me sa duket për të marrë rolin e Paolo Tramexanit. Karriera e Veronezes ka filluar me Interin, më pas ka luajtur me skuadra jo shumë në zë si Kievo, Modena, Venecia, Çezena e të tjerë. Pasi ka mbyllur karrierën futbollistike në vitin 2012, në vitin 2014 ai ka marrë drejtimin e Pavias, skuadër e kategorisë inferiore të futbollit italian (Lega Pro).
Ndërkohë që, eksperiencën e fundit e ka patur tek skuadra e Monzës, ku ka punuar për shumë kohë si zëvendës i rreth 4 trajnerëve. Ky, me sa duket, është propozimi i parë që trajneri Xhovani De Biazi i ka paraqitur presidentit të FSHF-së, Armand Duka, sigurisht edhe nga niveli financiar që mund të paguaj Shqipëria, për këtë post. Edhe pse Paolo Tramexani, përveçse ishte zëvendëstrajner, mbante edhe rolin e drejtorit teknik të ekipeve kombëtare, një pozicion që paguhej rreth 10.000 euro.
Ai u largua në dhjetor të këtij viti për të marrë rolin e trajnerit të parë tek skuadra e Luganos. Ndërkohë, Marko Veroneze ende nuk ka zhvilluar takimin e parë me drejtuesit e FSHF-së, që sidoqoftë, mësohet se janë të prirur të pranojnë kërkesën e De Biazit, për krahun e tij të djathtë, të paktën edhe për gjysmën e mbetur të kontratës, që i përfundon me mbylljen e këtyre eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”.