AlbanianSport.com 11.01.2016 07:55
ASNN – Shpërblimet e përfolura të Kombëtares për kualifikimin për në fazën finale të “Euro 2016”-ës janë miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit. 2 milionë e 700 mijë euro do t’i jepen kuqezinjve për arritjen historike. Ato do të shpërndahen në bazë të kontributit, që dhanë lojtarët në fazën eliminatore. Një shpërblim më të lartë do të kenë ata të cilët ndikuan më shumë në realizimin e ëndrrës. Kombëtarja do të debutojë në fazën finale të Kampionatit Evropian këtë verë.
Shqipëria është në të njëjtin grup me vendin mikpritës të turneut Francën. Skuadra e tjera janë Zvicra dhe Rumania. Kuqezinjtë do ta nisin pikërisht me zviceranët, ku aktivizohen disa lojtarë shqiptarë, duke e kthyer në një derbi. Sfida e parë do të luhet më 11 qershor në Lens. Pritet që Kombëtarja të mbështet nga tifozë të shumtë që do të vijnë nga anembanë Evropës.
Ndërkaq, në vendimin e marrë së fundmi, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi propozimin e presidentit Armand Duka për të ftuar të gjithë ish-trajnerët dhe ish-lojtarët e Kombëtares ndër vite në ndeshjen e parë mes Shqipërisë dhe Zvicrës në stadiumin e Lensit. “Komiteti Ekzekutiv miratoi mundësinë për të asistuar në stadium për ndeshjen e parë të Evropianit të gjithë ish-trajnerët dhe ish-lojtarët të ekipit kombëtar”, – thotë njoftimi i FSHF-së.
“Të gjithë do të jenë të ftuarit e Federatës, e cila do të organizojë udhëtimin me “çarter”, si dhe akomodimin në Francë”, – vijon më tej njoftimi i zyrës për shtyp. Kjo është një risi që shkon më shumë si mirënjohje për kontributin ndër vite të ish-futbollistëve kuqezi, e gjithashtu trajnerëve, të cilët kanë ëndërruar një sukses të tillë, që tashmë u arrit në epokën e De Biazit. Mendohet se të ftuarit e FSHF-së që kanë të kaluar në Kombëtare do të jenë afro 300 veta.