AlbanianSport.com 08.06.2015 10:05
ASNN – Plas grushti në Kombëtaren e Serbisë, pasi Kolarovi dhe Mitroviçi përfshihen në një sherr në seancën stërvitore. Kështu, një sherr mes dy futbollistëve të rëndësishëm Stefan Mitroviç dhe Aleksandër Kolarov ka përshtjelluar situatën në skuadrën serbe, e cila do të luajë të shtunën një sfidë të rëndësishme kundër Danimarkës në grupin I eliminator të Euro 2016, ku merr pjesë edhe Shqipëria.
Mediat lokale bëjnë të ditur se dy futbollistët kanë patur një diskutim të ashpër, ndërsa më pas kanë përdorur edhe duart në seancën e fundit stërvitore. Kjo ka sjellë përçarje në ekip, pasi Kolarov, i cili është dhe zëvendës-kapiten ka kërkuar përjashtimin e shokut të skuadrës. Kjo ngjarje tregon qartë situatën e vështirë që po kalon kombëtarja serbe në prag të ndeshjes vendimtare me Danimarkën.