Gjergj Vyshka 10.12.2014 17:05
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, ka mbledhur sekretarët e federatave sportive, të cilëve u janë akorduar bursat olimpike për sportistë të caktuar. Bëhet fjalë për peshëngritjen, e cila ka kampionin e botës Daniel Godellin. Më pas atletika për Luiza Gegën, noti për Anxhela Kasharin, taekuondoja për Ada Demnerin, mundja për Osman Hajdarin dhe çiklizmi për Iltian Nikën. Nëse këtë bursa zyrtarisht janë bërë të ditura nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, dhe kryetari i Komisionit Teknik, Gjergji Ruli, më 2 tetor të këtij vitit, sipas të parit të olimpizmit shqiptar ato kanë ardhur që në shtator.
“Që do të thotë se që nga ajo periudhë, – thotë Bezhani, – janë bërë të gjitha lëvizjet dhe “e-mail”-et për këto federata në mënyrë që të bëjnë të ditur vendet se ku do të stërviten këta kandidat për Lojërat Olimpike të ardhshme. Mirëpo asnjëri nuk tregohet korrekt dhe t’i përgjigjet kësaj korrespondence. Në të tilla kushte, ultimatumi im për këto Federata është: Ose propozoni vendet e stërvitjes për bursistët, ose bursa do të hiqet”. Dhe të paktën sipas Bezhanit, reagimi i Federatave ka qenë i atillë që brenda javës do të sjellin propozimet e tyre për vendet e stërvitjes së këtyre bursistëve olimpik.
Në jo pak raste, edhe për shkak të paraqitjeve jo të mira në aktivitetet ndërkombëtare pas bursës, Komisioni Teknik, por dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka menduar për ndërrimin e emrave të bursistëve. Që do të thotë se tashmë presin vendin e stërvitjes së këtyre bursistëve, ndërsa në të kundërt bursa do të ndërrojë adresë.