Gjergj Vyshka 21.06.2016 18:55
Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2017”, si dhe përgatitja e tyre ka qenë temë e diskutimit mes Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe drejtuesve të Federatave. Një takim ky i lajmëruar në profilin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në rrjetin social “Facebook”.
Në fakt, për mediat prej gjashtë muajsh tashmë, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për veprimtaritë e institucionit më të lartë të olimpizmit shqiptar dhe, kur nuk e bën Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, çfarë duhet të presim prej Federatave Sportive (?!). Në këtë takim kanë qenë të ftuar Presidentët dhe Sekretarët e Përgjithshëm të Federatave Sportive.
Fokusi ka qenë marrja e masave për një përgatitje serioze dhe krijimi i një skuadre të fortë dhe dinjitoze deri në marrjen e medaljeve ashtu sikurse ka ndodhur në Mersin 2013. Kështu duke lënë mënjanë Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, KOKSH ka nisur të mendojë që tani për Mesdhetaret, por a janë në të njëjtën mendje federatat sportive, pjesa më e madhe e të cilave do të hyjnë në raundin zgjedhor në fund të këtij viti. Prandaj duhet pritur.