Gjergj Vyshka 28.02.2017 07:55
Solidariteti Olimpik dhe programi i tij katërvjeçar 2017-2020, tashmë në ndihmë të Federatave sportive, janë prezantuar dje nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në tryezën që është zhvilluar në mjediset e Hotel “Tirana International” në kryeqytet. Jo vetëm prezantim, por dhe një seminar praktik, atje ku më pas janë nxjerrë rezultatet e kërkesave të Federatave për ndihmë, ndërsa bëhej fjalë për përgatitjen e sportistit, trajnerit, kuadrit drejtues, apo menaxhimit.
E këtë tryezë janë prezantuar kërkesat për bursat olimpike, kërkesat për përgatitjen cilësore të trajnerëve, apo dhe kuadrove drejtuesve nëpërmjet kurse të administratorëve sportiv. E mbi të gjitha menaxhimi, pse jo dhe një qeverisje e mirë, e cila do të jetë në fokus të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar për një tjetër seminar me Federatat. Por gjithashtu nuk është lënë mënjanë dhe edukimi olimpik, sepse me logjikën që java olimpike në shkolla, apo dhe në qytete, zbulon talentet e reja të sportit, u është kërkuar Federatave më tepër angazhim.
Ndërkohë nuk kanë munguar në rolin e të ftuarit zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, drejtori i sportit Vladimir Gjonaj, si dhe përgjegjësi për sportin elitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Arjan Konomi. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i ka shtruar alternativat nëpërmjet Solidaritetit Olimpik për ndihmë për Federatat e këto duhet të jenë ato që duhet të dinë të përfitojnë.