Gjergj Vyshka 21.12.2015 09:45
Me nismën e KOKSH-it, më 11 dhjetor në Tiranë është zhvilluar një tryezë e rrumbullakët, e cila ka mbledhur përfaqësuesit e Komiteteve Olimpike të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës, pa harruar edhe Shqipërinë.
Në përmbushje të filozofisë Olimpike, bazuar në vlerat e miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit dhe në kuadrin e zbatimit të orientimeve dhe detyrave të agjendës olimpike 2020, takimi është zhvilluar në frymën e ngrohtë me idenë e kryerjes së një pune të përbashkët.
Në këtë takim të rëndësishëm u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe veçanërisht theks ju dha rritjes së përfshirjes së të rinjve në sport, zhvillimi i kuadrit dhe lidershipit në sport, trajnimi i specialistëve të sportit, zgjerimi i aktivitete sportive të përbashkëta ku të promovohen vlerat olimpike.
Në takim të gjithë palët u shprehën pozitivisht për këtë nismë dhe vlerësuan si një domosdoshmëri dhe në kohën e duhur bërja e saj, por që duhet të zgjerohet dhe të ftohen në këtë tryezë edhe shtete të tjera.