AlbanianSport.com 09/11/2021 20:55
ASNN – Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, ka pritur të martën në mjediset e Parkut Olimpik të Tiranës sportistët “kampionë” të boksit, që nderuan flamurin kuq e zi në arenën ndërkombëtare. Alban Beqiri, Denis Nurja dhe Ariol Zeneli ishin kryefjala e këtij takimi, në sajë të rezultateve historike dhe medaljeve që rrembyen. Përkatësisht, Alban Beqiri ishte medalist i bronztë në Kampionatin Botëror të Boksit, Denis Nurja u shpall “kampion” i Ballkanit, ndërsa Ariol Zeneli ishte medalist i bronztë në Kampionatin Evropian të grupmoshës së Nën-18-vjeçarëve.
Sportistët shoqëroheshin nga trajnerët e tyre, Sead Bushati, Renato Kurti dhe Gëzim Zeneli, ndërsa në takim ishin të pranishëm edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit (FSHBo), Florend Kalivopulli. dhe Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH-it, Gerti Shima. Fokusi i këtij takimi ishte mbështetja e këtyre sportistëve në të ardhmen me anë të projekteve të përbashkëta me FSHBo-në, për të rritur dhe zhvilluar më tej cilësinë sportive. Sportistët u shprehën të motivuar për të vijuar më tej ndërsa kërkuan me shumë mbështetje në gara të ndryshme kualifikuese. Natyrisht, vëmendja ishte tek Alban Beqiri.
Ai mori pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, i cili u zhvillua në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, duke bërë një kampionat të jashtëzakonshëm,. duke fituar dhe një medalje bronzi. Rrugëtimi i tij përfundoi në gjysmëfinale ku humbi ndaj boksierit nga Rusia. Boksieri kuqezi nuk ishte në formën e tij më të mirë sepse e shoqëronin disa dëmtime por ai nuk u dorëzua dhe u ndesh edhe pse me shqetësime fizike. “Ndihem shumë krenar, pasi ishte emocion shumë i madh për mua të ngre flamurin shqiptar në mes të Beogradit”, – ka thënë ai gjatë takimit me kreun e organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare.
“Ishte një arritje historike dhe shpresoj që dhe të tjerë boksierë si unë të kenë të njëjtin sukses, – ka vijuar ai. – Me pak mbështetje dhe suport mund të kemi arrtije më të mëdha në boks.” Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, u shpërdau sportisteve “Certifikata Vlerësimi” për arritjet sportive, si dhe një uniformë sportive, ndërsa theksoi se mbështetja e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar do të intensifikohet më tej, ndaj i ftoi ata dhe trajnerët e tyre të përgatisin një plan të mirëfilltë trajnimi për t’i mbështetur financiarisht në rrugën e gjatë të karrierës së tyre në këtë sport, për të arritur nivele edhe më të larta.