Gjergj Vyshka 23.02.2016 12:25
Tashmë nuk është më risi për sportin shqiptar gara e kanoes, sepse një Federatë e tillë ka kohë që është ndërtuar dhe funksionon në vendin tonë. Jo vetëm kaq, por tashmë kanë nisur dhe anëtarësimet, apo dhe garat, siç ishte rasti i veprimtarisë që më 14 shkurt është zhvilluar tek Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë.
Kjo garë është përshëndetur dhe nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili e ka përgëzuar këtë veprimtari të kanoes në profilin e vet në rrjetin social “Facebook”, me urimin: “Suksese në veprimtari të tjera, të cilat shpresojmë të jenë të afërta dhe më të shumta”.
E kanoe është një risi për ngritjen e sporteve të reja, të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e të rinjve dhe të rejave për të bërë sport dhe për t’u argëtuar. Dikur në atë liqen ka pasur dhe varka për shëtitje. Ndaj dhe garat e kanoes janë duke u mbështetur dhe nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.