Gjergj Vyshka 25.08.2016 21:10
Sigurisht që Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar do të mbrohet. Por çfarë ka për t’u mbrojtur kur në dy video të shpërndara nga peshëngritësi Briken Calja, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, shprehet me dy versione të ndryshme për bursën e tij, ndërsa me një fjali të vetme do ta kishte mbyllur këtë çështje që pa ikur në Rio.
Por çfarë ka për të mbrojtur, të paktën kur akuzat vijnë edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, e cila shprehet që kohët e dhëna për Hoxhën dhe Merizajn janë tjetër nga ato që janë regjistruar në garat e Olimpiadës. Dhe më pas, ndoshta e vënë dhe nën trysni, sekretarja Haxhia deklaron që nuk është faji i KOKSH për mosregjistrimin e Sidnit në dy gara, por këto ishin ftesat nga Federata Botërore e Notit.
Sepse në mbledhjen teknike nuk ka pasur asnjë përfaqësues të delegacionit olimpik shqiptar. Por çfarë ka për të mbrojtur kur është akuzuar nga mundja se nuk i është dhënë ftesa, edhe pse Federata Botërore e Mundjes ka qenë e gatshme për t’ia akorduar atë. Apo çfarë duhet të mbrojë kur një sërë akuzash kanë ardhur nga Biba e Spahiu ndaj Bezhanit si ndërhyrës në punët e brendshme ndaj Federatës Shqiptare të Mundjes, ndërsa kanë dalë të tjerë për ta mbrojtur.
Pra një sërë dilemash nga pjesëmarrja e Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, të cilat i pari i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar duhet t’i sqarojë, por jo të kërkojë grupe armiqësore. Sepse të jetë i sigurt që askush nuk ka ndërmend të hapi fushatë për t’u zgjedhur president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar kur ende nuk kanë përfunduar zgjedhjet nëpër Federata. E megjithatë është e drejta e tij të thojë gjithçka për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”…