Gjergj Vyshka 21.01.2015 18:15
Paketa olimpike Nr. 4 është duke vazhduar rrugëtimin e saj nëpër Shqipëri dhe njëkohësisht dhe prezantimin e saj. Të enjten prezantimi i kësaj pakete është bërë në Vlorë, ndërsa në shkollën “Jani Minga” janë mbledhur 80 mësues të edukimit fizik nga 80 shkolla 9-vjeçare të qytetit bregdetar. Përmbajtja e kësaj pakete, apo dhe konceptet e ditës olimpike janë prezantuar nga anëtari i Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Ilir Gusho, si dhe nga koordinatorja e këtij projekti, Eda Çaushi.
Nga diskutimet e bëra me mësuesit, shumica e të cilëve e kishte kaluar nëpër duar dhe Paketën Olimpike Nr.3, është vënë re një entuziasëm për paketën e re, e cila do të jetë nxitje për zhvillimin e Ditës Olimpike në Vlorë. Jo vetëm kaq, por është pritur mirë dhe ndërtimi i rrjetit të përbashkët të komunikimit, si dhe prezantimi i informacioneve dhe aktiviteteve të tyre nëpërmjet faqes së facebookut të çdo shkolle e më pas dhe në faqet e Drejtorive Arsimore Rajonale dhe në KOKSH.
Ndërkohë dje prezantimi i Paketës Olimpike Nr.4 është kryer në shkollën “Ibrahim Rugova” në Kamëz, atje ku kanë qenë mësuesit e edukimit fizik të Bashkisë së Kamzës. Në këtë takim ka qenë prezent dhe përfaqësuesi e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut Tiranë, Xhorxh Lekbello. Koordinatorja Çaushi ka prezantuar dhe një herë konceptet e Ditës Olimpike, ndërsa u deklarua se bashkëpunimi i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar me drejtoritë e shkollave do të ishte mbështetje për organizimin e aktiviteteve të ndryshme olimpike.