Gjergj Vyshka 20.11.2014 08:40
Romela Begaj dhe Daniel Godelli në një tjetër pritje ceremoniale pas Botërorit të Almatit. Presidenti Bezhani jo vetëm që premton më tepër mbështetje, por sugjeron dhe stërvitjen jashtë vendit. Romela Begaj, kampione e botës në stilin e shkëputjes, dhe Daniel Godelli, kampion bote në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh në peshëngritje, dje janë pritur dhe janë nderuar Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Presidenti Viron Bezhani ka dhënë titullin “Mirënjohje” për të dy këta peshëngritës, të cilët vazhdojnë të lartësojnë emrin e Shqipërisë dhe të sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Madje në fjalën e tij, përpara dorëzimit të titullit “Mirënjohje” për Begajn dhe Godellin, presidenti Bezhani ka premtuar më shumë mbështetje për këta sportistë duke deklaruar dhe përgatitjen e tyre jashtë vendit pikërisht për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. “Jam shumë i privilegjuar si president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar që pres dhe nderoj këta dy peshëngritës, të cilët janë krenaria e vendit, – ka thënë ish-mundësi, tashmë në krye të KOKSH-it. – Na del për detyrë që t’i mbështesim, sepse janë shembull për të gjithë sportin shqiptar.”
“Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e ka vlerësuar së tepërmi rezultatin e tyre, i cili nuk është i rastësishëm në kushtet kur si Begaj, ashtu dhe Godelli kanë qenë përfaqësues dhe në olimpiada të tjera, – ka vijuar Bezhani. – Janë të dy sportistë cilësorë, ndërsa objektiv i tyre për rezultate të larta në Botëror u arrit. Na del për detyrë që t’i bashkëveprojmë të gjitha hapat mes nesh, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për një përgatitje më cilësore në mënyrë që të arrijmë medaljet dhe në Olimpiadë.”
“Dhe objektivi është dërgimi i tyre jashtë vendit për stërvitje”, – ka përfunduar presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.