Gjergj Vyshka 11.02.2015 09:55
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ashtu sikurse kishte paralajmëruar dhe një ditë më parë, dje në mesditë në ambientet e saj ka pritur skuadrën e volejbollit të meshkujve të Farka Volejit. Skuadra e drejtuar me aq pasion nga Dritan Bardhi, që njëkohësisht është edhe mësues i edukimit fizik në gjimnazin e bashkuar të asaj komune prej 400 shtëpish dhe 600 nxënës, pas 6 vjetësh punë ka arritur që të jetë sot finaliste e Kupës së Shqipërisë.
Dhe parë kështu, si një model që duhet përqafuar nga të gjithë ekipet e sportit shqiptar, atje ku puna e përditshme zhvlerëson faktin e ndërtimit të një skuadre me para, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, ka dhënë një mirënjohje për Farka Volejin. E jo vetëm kaq, por për secilin nga lojtarët e Farka Volejit, KOKSH ka dhënë dhe nga një bluze. “Së pari duhet t’iu uroj për atë që keni ndërtuar me shumë mund e djersë, sepse jeni një shembull konkret për të gjithë sportin shqiptar”, – ka thënë kreu i KOKSH-it.
“Jeni një mësim i mirë për të gjithë sportin në vend, sepse të gjithë kanë se çfarë të mësojnë prej jush, – ka vijuar Bezhani. – Nëpërmjet punës së përbashkët keni arritur të ndërtoni një skuadër pa shumë shpenzime dhe për rrjedhojë ne i përkrahim këto gjëra pozitive që ju dini të ndërtoni. Unë kam kënaqësi t’iu pres juve si skuadër, ndaj ju them ju lumtë për atë që keni ndërtuar. Jeni një shembull konkret dhe për zhvillimin e sportit në shkolla.:
“Dëgjova dhe fola edhe me trajnerin e ekipit kombëtar të volejbollit për meshkuj, Ylli Tomori, prej të cilit mësova se 2-3 prej jush janë sot anëtar të ekipit kombëtar. Ju lumtë edhe një herë e suksese”, – ka përfunduar Bezhani. Në emër të ekipit të volejbollit të meshkujve Farka Volej ka folur trajneri i saj Dritan Bardhi, i cili ka nënvizuar faktin se gjithçka është rezultat i punës së përditshme. “Ne ndihemi të vlerësuar dhe ju falënderojmë për ftesën që na keni bërë”, – ka thënë ish-volejbollisti.
“Farka Volej ka vite që është ndërtuar si skuadër, – ka vijuar ai. – Prej disa sezonesh ka qenë dhe kampione e të rinjve. Kemi hyrë në konkurrimin me të rriturit dhe jemi sot finalistë të Kupës së Shqipërisë dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm të kemi dhe rezultate më të larta”, ka përfunduar Bardhi, kurse Bezhani për nxitjen e zhvillimit të sportit në atë komunë, teksa ka vlerësuar dhe “Fair-Play”-in e tifozëve, ka treguar se do të ketë dhe përkrahje e organizime të tjera pikërisht në Farkë.