Gjergj Vyshka 07.03.2017 11:35
“Pasditen e djeshme është ndarë nga jeta Muhamed Malo, një nga njerëzit më human dhe më të dashur, një njeri që jetën e lidhi përgjithnjë me sportin, – ka shkruar presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, në një status në profilin e tij në rrjetin social, “Facebook”. – Ai ishte një njeri që fitoi respektin e të gjithëve, pasi nuk tha kurrë “JO”, duke qenë gjithnjë pranë njerëzve.”
“Kjo botë humbi një njeri të madh, që u rrit me sportin, punoi për të dhe ishte gjithnjë pjesë e tij, – ka vijuar ai. – Dhe jo vetëm i sportit, pasi sukseset e tij në jetë vështirë se mund të përsëriten sot nga të tjerë. Kjo e bëri atë krenar dhe unik, duke treguar se nuk është “kampion” vetëm në sport, por kudo që ai punoi. Një njeri që do të na mungojë shumë, pasi figura e tij ishte e dashur për të gjithë ata që e kanë njohur.”
“Sportit shqiptar dhe veçanërisht atij të mundjes do t’i mungojë një kampion, një President, një dashamirës që gjithnjë e ka dashur këtë sport duke qenë gjithnjë pranë tij. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të dashur. Lamtumirë miku ynë i dashur”, – e ka përfunduar mesazhin e tij ngushëllues presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani