Gjergj Vyshka 03.12.2014 10:05
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka mbledhur të hënën komisionin e kulturës dhe edukimit, që drejtohet nga anëtari i Komitetit Drejtues, Gëzim Panariti. Në rendin e saj të ditës, të paktën dhe sipas informacionit të shpërndarë nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, mbledhja pati disa çështje për të diskutuar mes të cilave përgatitja e një logoje të re për KOKSH, si dhe krijimi i përgatitjes së muzeut të simboleve olimpike.
Po në këtë mbledhje, Komisioni i kulturës dhe edukimit në KOKSH është njohur dhe me materialet e sjella nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, ndërsa është bërë dhe një konkurs me temën “Shqipëria në Lojërat Olimpike”. Nëpërmjet videove të para, Komisioni vlerësoi të gjitha punimet e fëmijëve të shkollave 9-vjeçare në Durrës, si dhe vendosi që të gjithë pjesëmarrësit të vlerësohen me certifikata për pjesëmarrjen në këtë konkurs.
Në vazhdim do të shpallen dhe tre fituesit, kurse në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës do të organizohet dhe ceremonia e dorëzimit të çmimeve për shpalljen e fituesve, kurse videot më të mira do të publikohen në faqen e internetit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.