AlbanianSport.com 11/01/2020 22:05
ASNN – Me anë të një shkrese, të botuar të shtunën në mbrëmje në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Komiteti Ekzekutiv ka njoftuar federatat për mbajtjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme, e cila është lënë për në datën 9 shkurt 2019. “I nderuar Anëtar i KOKSH, Ju njoftojmë në lidhje me kërkesën e firmosur nga 2/3 e anëtarëve të KOKSH, protokolluar me numër 3 prot., datë 6 janar 2020, për mbajtjen e asamblesë së jashtëzakonshme”, – thuhet në njoftim.
“Në lidhje me situatën e krijuar në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe me përgjegjësinë që i ka ngarkuar Komiteti Olimpik Kombëtar (IOC) Komitetit Ekzekutiv të KOKSH për zgjidhjen e kësaj situate, Komiteti Ekzekutiv në bazë të nenit 15 të statutit të KOKSH, organizon mbajtjen e asamblesë së jashtëzakonshme të KOKSH në datë 9 shkurt 2020, me rend dite: 1. Marrja e masave për zgjidhjen e situatës në KOKSH.”- vijon më tej njoftimi.
Lidhur me vendin dhe orën do të njoftohet në një komunikim të dytë, duke respektuar afatin kohor, sipas nenit 13 të statutit. “Ju lutemi, gjeni bashkangjitur formularin e akreditimit për personat e akredituar për të marrë pjesë në asamble të jashtëzakonshme, – sqaron njoftimi i KOKSH-it. – Formulari i akreditimit duhet të plotësohet me emrat e përfaqësuesve zyrtarë të mandatuar që do të marrin pjesë me të drejtë vote në asamble.”
Formulari i akreditimit duhet të ketë mbërritur pranë zyrave të KOKSH brenda datës 24 janar 2020, ditën e premte, deri në orën 17:00. “Duke besuar në bashkëpunimin tuaj për mbarëvajtjen e punimeve të asamblesë së përgjithshme të KOKSH”, – mbyllet njoftimi i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare, i firmosur nga zëvendës-presidenti Vojo Malo.