AlbanianSport.com 16.04.2015 18:45
ASNN – Në kuadër të procesit për përmirësimin e Ligjit për Sportin, nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, si një nga palët e interesit, ka ftuar z. Zoran Verovnik nga Ministria e Arsimit dhe Sportit te Sllovenisë, për të ofruar konsulencë në këtë fushë dhe përvojën sllovene sa i përket legjislacionit sportiv. Të martën, në zyrat e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, u zhvillua takimi i përbashkët i anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH, anëtarëve të KAS-it, ekspertëve të fushës së ligjeve, ekspertë të antidopingut, etj. Në këtë takim janë shtruar pyetje dhe argumente për çështje të ndryshme që prek ky ligj.
Të tjera takime kanë vijuar të mërkurën në Drejtorinë e Sporteve në MAS, në Universitetin e Sporteve të Tiranës, si dhe grupin që ka punuar për amendimin e ligjit. Ndërkaq, të enjten dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp Anëtari i Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Fidel Ylli, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, Drejtori i Sporteve në MAS, Vladimir Gjonaj, Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, si dhe eksperti ligjor pranë Ministrisë së Sporteve të Sllovenisë dhe i grupit të punës për ligjet pranë BE, Zoran Verovnik.
Ky i fundit është ftuar nga KOKSH për të dhënë ndihmë ligjore në lidhje me draftin e propozuar për ndryshimet në “Ligjin për Sportin”. Në vizitën e tij dyditore, eksperti Verovnik ka zhvilluar takime me Komitetin Ekzekutiv të KOKSH-it, përfaqësues të Drejtorisë së Sporteve në MAS, Grupin e Punës së Ligjit, Universitetin e Sporteve të Tiranës, si dhe me Kryetarin e Kuvendit z. Ilir Meta. Në konferencën e sotme për shtyp, mbajtur në kryeqytet, Verovniku sugjeroi se duhet ndërtuar një paketë e plotë ligjore, mbështetur në një plan kombëtar shumëvjeçar për zhvillimin e sportit në mënyrë që ligji të mund të konsiderohet 100% funksional, pasi, sipas tij, pasi aktualisht drafti i paraqitur ka mangësi dhe nuk është në nivelet e ligjit për sportin të një vendi demokratik pjesë e BE-së.
Nga ana e tij, Bezhani u shpreh i kënaqur që në çështjen e “Ligjit të ri për Sportin”, tanimë janë bashkë si partnerë që do të kontribuojnë në përmirësimin e tij, Ministria e Arsimit dhe Sportit, KOKSH-i, Federatat, ekspertë ligjorë dhe Universitetet e Sporteve, dhe çdo palë e interesuar në zhvillimin e Sportit në vend. Ndërsa Gjonaj u shpreh se sugjerimet dhe këshillimet e ekspertit slloven ishin gjetur me vend dhe do të merren parasysh në procesin e përmirësimit të ligjit. Z. Ylli shprehu dhe një herë mbështetjen dhe garancinë se drafti i “Ligjit për Sportin” do të marrë parasysh sugjerimet e bëra dhe ligji që do kalojë me miratimin e gjithë palëve në Parlament do të kontribuojë në zhvillimin e Sportit në vend.