Gjergj Vyshka 22.09.2015 14:35
Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës, Patrik Hikei, të paktën edhe sipas Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, i ka dërguar një letër falënderimi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ajo që duhet theksuar është fakti se javën e kaluar, Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Evropës ka bërë mbledhjen e radhës në Tiranë pikërisht në ambientet e hotel “Sheratonit”.
Dhe në seancën hapëse ka qenë i pranishëm dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në fjalimin tij ka përshëndetur KOKSH për inisiativën që kishte marrë për të sjellë Evropën në Tiranë, si dhe ka bërë një prezantim të asaj që është bërë në sportin shqiptar. Madje i ka ftuar anëtarët e Komitetit Olimpik të Evropës të jenë të pranishëm në inaugurimin e parkut olimpik, i cili do të ndërtohet në ish-kompleksin Dinamo.
E pikërisht për të gjithë këtë situatë, ndërsa Evropa ka dhënë një mirënjohje për kryeministrin Rama, Ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, si dhe Presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, dhe sekretarin e përgjithshëm Stavri Bello, Hikei ka dërguar dhe një letër falënderimi për të parin e qeverisë shqiptare. Kësisoj Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka marrë notë pozitive në organizimin e mbledhjes së Evropës.